Zëvendëskryetari i Qeverisë për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, së bashku me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov dhe drejtorin e Byrosë për Zhvillimin Rajonal, Ramiz Rexhepi, mbajtën konferencë të përbashkët për media me rastin e marrëveshjeve të reja sipas Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal (ZHBR).

Zëvendëskryetari Bytyqi theksoi se zhvillimi i barabartë rajonal gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm është me rëndësi jetike për shtetin, dhe se vendos themelet për prosperitetin e shoqërisë, inkurajon stabilitetin ekonomik dhe redukton dallimet socio-ekonomike.

“Prandaj Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e 199-të, e cila u mbajt më 14 nëntor të këtij viti, miratoi katër vendime me të cilët janë siguruar 800 milionë denarë ose rreth 13 milionë euro nga Programi buxhetor për zhvillim të barabartë rajonal për 129 projekte me të cilët mbështesim zhvillimin rajonal gjithëpërfshirës për krijimin e mundësive për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në zonat urbane dhe rurale në 80 komuna, në tetë rajone planore. Parimi i ndarjes së parave buxhetore është në proporcion të zhdrejtë me zhvillimin, gjegjësisht komunat dhe rajonet më pak të zhvilluara marrin më së shumti mjete financiare”, tha Zëvendëskryetari Bitiqi.

Zëvendëskryetari Bytyqi theksoi se 440 milionë denarë ose mbi 7 milionë euro Qeveria i ka miratuar për 29 projekte rajonale që do të realizohen përmes tetë rajonet planore, ndërsa 360 milionë denarë ose rreth 6 milionë euro janë destinuara për 100 projektet lokale që do të realizohen përmes njësive të pushtetit lokal ndërsa do të përfshihen të 80 komunat, duke theksuar se në këtë mënyrë zvogëlohen dallimet në mundësitë për zhvillim ekonomik dhe social të qytetarëve ndërmjet mjediseve urbane dhe atyre rurale.

“Duke u fokusuar në zhvillimin e fshatrave në mbarë vendin, me Vendimin për ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve për zhvillimin e fshatrave, Qeveria miratoi 120 milionë denarë ose dy milionë euro për 39 projekte, të cilat do të përshpejtojnë zhvillimin rural dhe do të kontribuojnë në tejkalimi i hendekut midis qyteteve dhe fshatrave. Bëhet fjalë për projekte që synojnë kryesisht zhvillimin e infrastrukturës komunale rurale, rrugëve lokale, infrastrukturës për shërbimet e ujit, rritjen e kapaciteteve të menaxhimit të mbeturinave në fshatra në mbarë vendin, sigurimin e makinerive për ndërmarrjet publike lokale, rregullimin e shtretërve të lumenjve dhe kanalizimeve atmosferike si dhe për projekte të tjera infrastrukturore që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë që jetojnë në fshatra”, tha zëvendëskryetari Bytyqi.

Në konferencën për media, Zëvendëskryetari Bytyqi informoi se qasja gjithëpërfshirëse e Qeverisë në nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal mund të shihet përmes Vendimit për ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve për zhvillimin e zonave urbane, me çka miratoi 2 milionë euro për financimin e 29 projekteve për zhvillimin e zonave urbane në të tetë rajonet planore.

“Qeveria solli Vendim për ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve me nevoja specifike zhvillimore, 120 milionë denarë, me të cilat komunat dhe organizatat joqeveritare nga i gjithë vendi do të realizojnë 32 projekte të cilat do të jenë të fokusuara në përmbushjen e nevojave specifike zhvillimore të bashkësive lokale e që ka bëjë ndër të tjera, me mbrojtjen dhe zhvillimin e monumenteve kulturore, zhvillimin e përmbajtjeve për të rinjtë, studime për qëndrueshmëri dhe efikasitet energjetik në kopshte dhe projekte për mbrojtjen e mjedisit jetësor, tha Zëvendëskryetari Bytyqi.

“Këtë vit e mbyllim me fillimin e 129 projekteve të reja në vlerë prej 13 milionë euro në komuna dhe në të tetë rajone planore në vend, të cilat financohen nga Buxheti i shtetit përmes Programit për Zhvillim të Barabartë Rajonal. Përveç këtyre projekteve, përmes Programit buxhetor për zvogëlimin e pabarazive në rajonet planore dhe ndërmjet komunave, këtë vit kemi financuar edhe 6 projekte në vlerë prej 50 milionë denarë. Nëpër komuna, Qeveria bashkëfinancon edhe projekte për bashkëpunim ndërkufitar, të cilat kanë ndikim edhe në zhvillim, ndërsa ministritë tjera kompetente përmes programeve të tyre financojnë projekte shumë të rëndësishme për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, gypave të ujit, shkollave, me të cilat kjo Qeveri ka arritur të sigurojë mbi 1% të bruto prodhimit vendor, mjete që i destinon për zvogëlimin e dallimeve dhe për zhvillim më të shpejtë të komunave dhe rajoneve planore”, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov, i cili theksoi se Qeveria me politikat e saj mban llogari për zhvillimin e barabartë rajonal dhe investon në të gjitha komunat, duke marrë parasysh shkallën e zhvillimit dhe zgjidhjen e çështjeve prioritare për qytetarët.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale tha se Qeveria në bashkëpunim me Bashkësinë donatore ka ofruar mbështetje shtesë, eksperte dhe financiare për komunat për përgatitjen e dokumentacionit teknik për projekte të mëdha, në mënyrë që komunat të mund të sigurojnë burime financiare nga buxheti i shtetit por edhe nga Bashkimi Evropian, nga Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare për realizimin e projekteve kapitale të infrastrukturës. Tashmë jemi duke punuar me dhjetë komunat e para ndërsa do të pasojnë edhe dy thirrje publike në të cilat mund të aplikojnë edhe komunat tjera.

Drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Ramiz Rexhepi, theksoi se qëllimi kryesor është që të mbështetet zhvillimi i kushteve ekonomike, sociale dhe infrastrukturore në të gjitha komunat, duke u ofruar të gjithë qytetarëve mundësinë për përparim dhe zhvillim në të gjitha rajonet e vendit.

“Si institucion kemi bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe ministritë e tjera, kemi mbështetje të madhe nga Kabineti i Zëvendëskryetarit Bytyqi, në mënyrë që të integrojmë strategjitë zhvillimore në kontekst e gjerë të politikës shtetërore. Nëpërmjet aktiviteteve tona ndihmojmë rajonet dhe komunat të fitojnë burimet dhe investimet e nevojshme që ato të përparojnë dhe të kapërcejnë sfidat që i kanë përpara. Sot kemi nënshkruar kontrata në vlerë prej 800 milionë denarë.

Si institucion kemi shënuar suksese të rëndësishme në mbështetjen e projekteve infrastrukturore dhe zhvillimore në tetë rajonet planore, që ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës dhe kushteve të qytetarëve tanë.

Në të ardhmen, planifikojmë të vazhdojmë forcimin e bashkëpunimit me autoritetet lokale, si dhe me të gjitha institucionet dhe organizatat përkatëse, me qëllim të rritjes së ndikimit të aktiviteteve zhvillimore në përmirësimin e jetës në të gjitha rajonet dhe uljen e dallimeve ndërmjet tyre, midis rajoneve dhe komunave, " tha drejtori Rexhepi duke shtuar se do të vazhdojë përshtatja e strategjisë së Byrosë sipas ndryshimeve të nevojave dhe sfidave të rajoneve të ndryshme.