Qëllimi i procesit të decentralizimit të pushtetit është që nivelit i vendimmarrjes të jetë më afrër qytetarëve për të gjitha çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre të përditshme, prandaj ne mbështesim iniciativën e Avokatit të Popullit për hapjen e debatit në aspektin e realizimit të të drejtave të qytetarëve për çështjet e kompetencave lokale, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov.

- Në vitin 2005, sistemi i vetëqeverisjes lokale u reformua rrënjësisht dhe shtylla kryesore e asaj reforme ishte decentralizimi i pushtetit. Në këtë mënyrë do të mundësohej pjesëmarrje më e drejtpërdrejtë e qytetarëve në krijimin e shërbimeve lokale, sipas prioriteteve të tyre, por edhe presion më i drejtpërdrejtë ndaj autoriteteve lokale për punë më efikase, më të përgjegjshme dhe më transparente, shtoi Penov.

Lidhur me procesin e decentralizimit, ministri i Vetëqeverisjes Lokale theksoi se çdo proces që ndërtohet në supozime për zhvillim më demokratik, social-ekonomik, gjithëpërfshirës të shtetit dhe të bashkësisë lokale, sjell ndryshime pozitive. Dinamika e procesit varet nga shumë rrethana, nga ndërgjegjësimi i qytetarëve për rolin e tyre në bashkësinë lokale dhe instrumentet në dispozicion të tyre, nga gatishmëria e autoriteteve lokale për të inkurajuar pjesëmarrjen dhe përfshirjen e qytetarëve, kapacitetin në nivel lokal, mjetet financiare me të cilat disponon, mënyrën e planifikimit dhe realizimin e tyre.

- Duke pasur parasysh rëndësinë e të gjitha këtyre aspekteve, që të mund komuna t'u përgjigjet nevojave të qytetarëve, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me përkrahje të madhe nga bashkësia e donatorëve, nga Bashkimi Evropian, nga Qeveria Zvicerane, nga Qeveria suedeze, nga UNDP, USAID, OSBE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, vazhdimisht zbaton projekte për forcimin e kapaciteteve komunale. Prioritet i vihet mekanizmave për menaxhim më demokratik dhe transparent me punët e pushtetit lokal, si dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe USAID-in është duke punuar në përmirësimin e kornizës ligjore për tatimin në pronë, si dhe fuqizimin e kapaciteteve të komunave për zbatimin më efikas të kësaj kompetence shumë të rëndësishme, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në kapacitetet financiare të komunave për ofrimin e shërbimeve lokale, tha ministri.

Penov theksoi se Avokati i Popullit ka rol të veçantë në sistemin e mbikëqyrjes së punës së organeve të vetëqeverisjes lokale, përveç ministrive kompetente, secila në fushën e vet,
Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, Enti Shtetëror i Revizionit dhe Gjykata Kushtetuese. Institucioni i Avokatit të Popullit është hallkë shumë e rëndësishme në këtë sistem, sepse konstatimet dhe rekomandimet e tij i ndërton mbi bazën e ankesave që vijnë drejtpërdrejt nga qytetarët.

- Prandaj Raporti i Avokatit të Popullit është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për konstatimin e disa dobësive, i cili duhet t'u ndihmojë organeve dhe institucioneve kompetente, përfshirë komunat, t'i eliminojnë ato, për të siguruar kushte për realizimin e plotë të të drejtave të qytetarëve. Vetëm me qasje të përbashkët, të koordinuar dhe pozitive të të gjitha institucioneve kompetente, përfshirë edhe vetëqeverisjen lokale, mund të korrigjohen dobësitë. Në këtë drejtim është i rëndësishëm roli proaktiv i qytetarëve, si dhe institucioni i Avokatit të Popullit që përfaqëson interesat e tyre, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Penov në forumin “Bashkëpunimi i vetëqeverisjes lokale me Avokatin e Popullit dhe përfitimet e qytetarëve nga decentralizimi ” i organizuar nga zyra e Avokatit të Popullit, i cili u mbajt në komunën e Shtipit.