Me projektin nga Programi për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, komuna e Çairit do të zvogëlojë shpenzimet e energjisë elektrike, ndërsa kursimet do të mund të investohen në përmirësimin e kushteve në shkolla, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov.

- Në komunën e Çairit, në 3 shkolla fillore dhe në një çerdhe janë instaluar fotovoltaikë, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nga Bashkimi Evropian dhe Buxheti i Shtetit kanë siguruar 212.000 euro për realizimin e këtij projekti. Këto janë përfitime konkrete nga procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, të cilat qytetarët i ndjejnë drejtpërdrejt.

Nga fondet IPA të BE-së, vetëm përmes Programit për bashkëpunim ndërkufitar me Kosovën në periudhën e dytë programore janë realizuar 15 projekte me vlerë të përgjithshme prej 5.4 milionë euro, prej të cilave 4.2 milionë euro janë mjete nga BE-ja. Pjesa e mbetur prej 1.2 milionë euro janë nga Buxheti i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, e cila mbulon bashkëfinancimin nacional.

-Përmes instrumentit IPA të Bashkimit Evropian financohen numër i madh i projekteve nëpër komuna, pa ngarkesë shtesë të buxhetet komunale, që është përfitim i madh për ne. Me hapjen e negociatave me Unionin do të rriten edhe përgjegjësitë, por edhe fondet në dispozicion për zhvillimin e shtetit dhe të komunave. Kemi shansin të bëjmë kthesë historike për vendin dhe mbi të gjitha për qytetarët. Qytetarët tanë të jenë të barabartë me të gjithë të tjerët në Bashkimin Evropian dhe kjo do të thotë të kenë zgjidhje, të punojnë dhe të fitojnë më mirë, theksoi Penov.