22.11.2022,

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov ka pritur në Shkup ministrin e Vetëqeverisjes Lokale të Kosovës, Elbert Krasniqi, në kuadër të Programit për Qeverisje të Mirë të Këshillit të Evropës, që realizohet nga organizata ALDA.

Të dy ministrat në takim të veçantë, diskutuan për çështjet prioritare për zbatimin e Programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe ecurinë e procesit për fillimin e periudhës së re programore IPA3.

Në takim u shpreh kënaqësia për zbatimin e Programit për bashkëpunimit ndërkufitar, i cili edhe pse ka filluar më vonë, jep rezultate të mira. Në periudhën e parë dhe të dytë programore janë realizuar gjithsej 21 projekte me vlerë rreth 8 milionë euro për të dy vendet. Në kuadër të këtij programi, ndërtimi i pikës kufitare Belanovc-Stançiq është financuar me 1.2 milionë euro, mjete nga Bashkimi Evropian.

Dy ministrat diskutuan për projektet e mundshme strategjike që do të zbatohen sa më shpejt me Programin e ri për bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe bashkëpunimin mes dy ministrive për shfrytëzim të përgjegjshëm të  mjeteve nga Bashkimi Evropian.

 

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale