.
Milevski: Vetëqeverisja lokale funksionon me sukses vetëm me përfshirjen e qytetarëve


Ministria e vetëqeverisjes lokale zbaton Programin e Qeverisë në fushën e vetëqeverisjes lokale dhe zhvillimit të barabartë rajonal. Të dy politikat kanë ndikim të madh në cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve, tha ministri Goran Milevski në konferencën e sotme vjetore "Decentralizimi 2.0: Mekanizmat efektivë për pjesëmarrjen qytetare në kuadër të projektit "Mekanizmi efektiv për pjesëmarrjen qytetare "të mbajtur në Shtip në organizim të Fondacionit për zhvillim të bashkësisë lokale me mbështetje të Projektit të USAID-it për pjesëmarrje qytetare.
- Gjatë hartimit të dy dokumenteve kryesore, Strategjia e re për zhvillimin rajonal e cila është në procedurë parlamentare dhe Programi i ri për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim i cili është pjesë e procedurës së Qeverisë, ministria organizoi proces të gjerë konsultativ. Dokumentet u përgatitën me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha institucioneve përkatëse dhe sektorit civil, theksoi ai.
Sipas Milevskit, Programi i ri inkurajon angazhimin e qeverisë për të vazhduar procesin e decentralizimit, forcimin e stabilitetit financiar dhe pavarësisë së komunave, qasjen e të gjithë qytetarëve në shërbime më të mira publike, si dhe përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në nivelin lokal.
- Të gjitha këto përpjekje nuk mund të realizohen pa përfshirjen aktive të qytetarëve në proceset e krijimit të politikave lokale dhe të vendimmarrjes. Ekspertiza e sektorit të shoqërisë civile gjithashtu ndihmon shumë, përmes projekteve të tilla të mbështetura nga bashkësia e donatorëve, konkretisht nga USAID. Qytetarët kanë përfaqësuesit e tyre në Këshillat Komunal, por është e nevojshme të sigurohen mekanizma që do të mundësojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në krijimin e shërbimeve lokale, në planifikimin e buxhetit komunal, planifikimin urban, në politikat rinore dhe për të gjithë çështjet e tjera të rëndësishme. Vetëqeverisja lokale si formë e qeverisjes, në esencë ekziston vetëm për hir të qytetarëve dhe mund të funksionojë me sukses vetëm me përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë, në mënyrë institucionale dhe transparente, shtoi Milevski.
Në fund, ai theksoi se me Ligjin për vetëqeverisje lokale janë paraparë organe konsultative siç janë komisionet për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, këshillat e konsumatorëve, megjithatë vlerësimin e zbatimit të Ligjit për vetëqeverisje lokale që e bëri Ministria tregoi se ato nuk janë aq sa duhet funksionale. Tani, me Programin e ri për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe sektorin civil, kemi qëlli që të ndryshojmë gjërat dhe të krijojmë mekanizma të qëndrueshëm. Nevojitet bashkëpunim dhe sinergji e vazhdueshme e sektorit publik me sektorin civil dhe atë të biznesit.
Ministria e vetëqeverisjes lokale