Ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu sot foli në forumin "Politikat e përgjegjshme gjinore dhe buxhetet: drejtë qeverisjes transparente, gjithëpërfshirëse dhe llogari dhënëse në Republikën e Maqedonisë Veriore", të organizuar nga UN Women, Agjencioni Zviceran për zhvillim dhe bashkëpunim dhe Agjencia Suedeze për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar.

Në këtë takim u promovua projekti i ri për buxhetim të përgjegjshëm gjinor, i cili do të mbështet përparimin e vendit në realizimin e angazhimeve nacionale dhe ndërkombëtare për barazi gjinore dhe fuqizim të grave që është në përputhje me objektivat për zhvillim të qëndrueshëm dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

-Ministria e vetëqeverisjes lokale e përkrah plotësisht përkushtimin për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në nivel lokal. Me menaxhim transparent, gjithë-përfshirës dhe të përgjegjshëm të komunave, autoritetet lokale duhet të sigurojnë mjedis për përfshirje më të madhe të qytetarëve, si dhe përfaqësim adekuat të grave në procesin e vendimmarrjes, ndërsa ne do ti përkrahim ata në këtë drejtim. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, është segment i rëndësishëm në procesin e demokratizimit të shoqërisë, që do të forcohet me rritjen e përfshirjes së grave në politikë dhe në shoqëri, si dhe ngritjen e vetëdijes publike dhe rritjen e ndjeshmërisë gjinore, si te gratë ashtu dhe te burrat, tha ministri vetëqeverisjes lokale Suhejl Fazliu.

Qëllimi kryesor i projektit është përmirësimi i jetës së grave, duke përfshirë grupet e rezikuara,përmes integrimit sistematik dhe të qëndrueshëm të perspektivës gjinore në të gjitha fazat e krijimit të politikave dhe proceseve buxhetore.

Në nivel lokal, intervenimet e projektit përqendrohen në politikat dhe buxhetet për përmirësimin e jetës së grave dhe burrave te grupet e rrezikuara, përmes shfrytëzimit të praktikave të dëshmuara, të identifikuara në iniciativat e mëparshme për buxhetim të përgjegjshëm gjinor. Projekti i vendos njerëzit në vendin e parë përmes gjetjes së zgjidhjeve të bazuara në nevojat e identifikuara nga vetë shfrytëzuesit si faktorë të ndryshimeve.