Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov pati takim me kryetarët e komunave të Krushevës dhe Krivogastanit lidhur me realizimin e projekteve të financuara përmes Programit për zhvillim të barabartë rajonal, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen komunat në kryerjen e kompetencave të tyre.

Në takim me kryetarin e komunës së Krushevës, Tome Hristoski, u bisedua për potencialin zhvillimor të komunës dhe përkrahjen nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Byroja për Zhvillim Rajonal në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme, para së gjithash komunale dhe infrastrukturore që përmirësojnë cilësinë e jetës dhe rritjen e mundësive për zhvillimin e turizmit. U theksua se në komunën e Krushevës në dy vitet e fundit vetëm nga ky program buxhetor janë financuar tre projekte përmes të cilave është rikonstruktuar një pjesë e infrastrukturës rrugore lokale, si dhe infrastrukturës së ujësjellësit në fshatin Jakrenovë.

Nga ana e kryetarit të komunës së Krivogastanit, Nikolçe Miskoski, u theksua nevoja për mbështetje financiare për projektet për rindërtimin e rrugëve lokale. U theksua  mbështetja përmes Programit për zhvillim të barabartë rajonal, përmes të cilit në dy vitet e mëparshme u realizuan tre projekte, për menaxhimin e mbetjeve, për përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe për zgjerimin e rrugëve dhe ndërtimin e kanalizimit atmosferik.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov theksoi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Byroja për Zhvillim Rajonal janë duke bërë përpjekje që përmes Programit për zhvillim të barabartë rajonal t'i mbështesin financiarisht të gjitha projektet e përzgjedhura në komuna. Vetëm në vitin 2023 kemi financuar 135 projekte për zhvillimin e rajoneve planore, fshatrave dhe zonave specifike.

"Këto janë projekte të vogla në dukje, por kanë ndikim të madh në kushtet e jetesës në zona lokale", theksoi Penov. Ai informoi kryetarët e komunave se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Byroja për Zhvillim Rajonal, me mbështetjen e bashkësisë donatore, kanë siguruar fond për përgatitjen e dokumentacionit teknik për projektet komunale përmes të cilit komunat më të vogla mund të përgatisin projekte të përzgjedhura teknikisht që do të jenë sa më konkurrues në procesin e përzgjedhjes dhe sigurimin e burimeve për financimin e tyre. Përmes këtij fondi tashmë janë përgatitur 70 projekte, shumica prej të cilave tashmë janë duke u realizuar, tha Penov.