Vitin e kaluar e përmbyllëm me 135 projekte në komuna dhe në rajone planore, të financuara nga programet buxhetore për zhvillim të barabartë rajonal dhe për zvogëlimin e pabarazive, në vlerë prej mbi 14 milionë euro. Gjithashtu e finalizuam periudhën programore IPA 2 në të cilën janë financuar 192 projekte për bashkëpunim ndërkufitar në vlerë prej 60 milionë euro nga Bashkimi Evropian, ndërsa bashkëfinancimi nacional prej 9 milionë euro është siguruar nga buxheti i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, tha ministri Risto Penov. Ai theksoi edhe bashkëpunimin me Qeverinë zvicerane, përmes së cilës janë financuar bashkërisht 8 projekte në të gjitha rajonet planore në vlerë prej 3 milionë franga zvicerane.

“Çdo qytetar është i rëndësishëm dhe çdo qytetar duhet të ketë qasje në shërbimet themelore publike ndërsa Qeveria investon në përmirësimin e kushteve jetësore në çdo komunë dhe me 32.5 milionë euro shtesë këtë vit ka marrë përsipër të financojë 66 projekte të reja në 44 komuna”, tha Penov.

 Ministri i Vetëqeverisjes Lokale theksoi se ka edhe sfida, para së gjithash mungojnë projektet më të mëdha e të gatshme nga komunat, për të cilat Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Byroja për Zhvillim Rajonal në bashkëpunim me UNDP-në dhe SIDA-n, kanë siguruar fond prej 2.5 milionë dollarë përmes të cilit është përgatitë dokumentacioni  projektues për 70 projekte më të mëdha.

“Kjo është mbështetje e rëndësishme për komunat, veçanërisht për ato më të voglat që kanë resurse shumë të kufizuara. Bashkë me USAID-in punojmë edhe në forcimin e kapaciteteve të komunave për mbledhjen e taksave dhe tatimeve lokale, këto janë mjete që komunat i kanë në dispozicion dhe është në interes të tyre t'i sigurojnë ato. Evidente janë rezultatet e përkrahjes projektuese, pagesa e tatimeve është rritur për 34.5%, kurse komuna e Kavadarit ka arritur të sigurojë 100%” efikasitet , shtoi ministri.

Ministri Penov theksoi se në vitin 2023, sondazhi i perceptimit të qytetarëve i bërë nga UNDP-ja tregon rënie të kënaqësisë së qytetarëve me mënyrën se si funksionojnë autoritetet lokale, vlerësimi mesatar është 3 ndërsa rritet numri i qytetarëve që mendojnë se ka më shumë korrupsion në komunën e tyre.

  “Qeveria dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk i anashkalojnë këto rezultate sepse për ne janë të rëndësishëm qytetarët dhe shërbimet që ata presin, madje edhe kur bëhet fjalë për pushtetin lokal, kështu që do të vazhdojmë me mbështetjen financiare të projekteve, por edhe me përmirësimin e funksionalitetit të vetëqeverisjes lokale me qëllim të përmirësimit të shërbimeve, llogaridhënies dhe transparencës”, përfundoi ministri Risto Penov.