Ministri i vetëqeverisjes lokale Suhejl Fazliu merr pjesë në Forumit të parë Ballkanik "Infrastrukturat Trans-Ballkanike dhe rrjetet e zhvillimit, në drejtim të përparimit të sipërmarrjes dhe inovacionit", që sot dhe nesër mbahet në Selanik, Greqi.

Forumi u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme të Greqisë (sektori Maqedoni dhe Traki), që ka për qëllim zhvillimin e strategjisë së përbashkët për zhvillimin dhe promovimin e iniciativave investuese në Ballkan. Objektivi kryesor i Forumit është të promovojë bashkëpunimin trans-ballkanik në infrastrukturë, sipërmarrje dhe inovacion, duke u bazuar në Strategjinë Evropa 2020 dhe strategjinë Evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Ministri i vetëqeverisjes lokale Suhejl Fazliu në fjalimin e tij tha se si përfaqësues i gjeneratës aktuale të politikanëve të të dy vendeve dhe pjesëmarrës në ndryshime, mund të dëshmoj se dyert e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Greqisë Veriore janë të hapura.

- Ajo për çfarë kam ardhur sot këtu është të përcjell mesazhin e bashkëpunimit. Bashkëpunim midis rajoneve, midis qyteteve, bashkëpunim midis sektorit të biznesit, universiteteve, spitaleve, institucioneve shtetërore dhe shoqatave. Bashkëpunimi u konfirmua në forumin e biznesit në Shkup me 500 pjesëmarrës nga të dy vendet dhe sot edhe një herë në këtë forum të madh, në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga i gjithë rajoni. Bashkëpunimi në çdo fushë fillon me gatishmërinë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, shqyrtimin e dallimeve si përparësi e përbashkët, me qëndrime dhe gatishmëri pozitive për ndihmuar dhe përkrahur njëri tjetrin, theksoi ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu.

Ministri Fazliu foli edhe për bashkëpunimin territorial të përkrahur nga Unioni Evropian , më konkretisht për bashkëpunimin ndërkufitarë ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut i cili, siç tha ai, jep rezultate të shkëlqyeshme në më shumë sektorë, me përfshirje të qytetarëve dhe subjekteve nga të dy vendet.

Në këtë Forum marrin pjesë përfaqësues të ministrive të tregtisë, Odat ekonomike, universitetet, sektori hulumtues, universitetet, grupacione investuese nga gjashtë vende, Greqia, Bullgaria, Serbia, Maqedonia Veriore, Rumania dhe Shqipëria.

Forumin e hapi zëvendës-ministrja për punë të brendshme (sektori për Maqedoni dhe Traki), znj. Elefterija Haxhigeorgiu, me të cilën ministri Fazliu realizoi takim bilateral

Në këtë event të rëndësishëm, të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Banka botërore, Banka Evropiane për investime, Banka e Detit të Zi për tregti dhe zhvillim si dhe Banka Evropiane për përtërije dhe zhvillim.