Printo

Sot në Leskovc, Republika e Serbisë u mbajt takimi i parë informativ për thirrjen e parë publike për projekte në kuadër të Programit për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Ministri i vetëqeverisjes lokale, Goran Milevski dhe Ministrja e Integrimit Evropian e Serbisë, Jadranka Joksimoviq përshëndetën fillimin e realizimit të Programit për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet dy vendeve, si mundësi për nxitjen e zhvillimit rajonal me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, në prani të shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Serbisë, Sem Fabrizi, kryetarit të komunës së Leskovcit, Goran Cvetanoviq dhe aplikantëve të mundshëm, ministri Milevski theksoi se e ardhmja e vendeve të rajonit është në anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian përmes bashkëpunimit, zhvillimit dhe lidhjeve infrastrukturore.

- Bashkëpunimi ndërkufitar përmes instrumentit IPA është mundësia më e mirë për të ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet tona, për të ndërtuar të ardhme të përbashkët të bazuar në vlerat e Bashkimit Evropian për bashkëpunim dhe kontribut të përbashkët në zhvillimin e rajonit. Do të insistoj për proces transparent, në të cilin secili pjesëmarrës do të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjithë të tjerët, tha Milevski, i cili inkurajoi të gjithë të interesuarit të aplikojnë me projekte cilësore dhe të qëndrueshme që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës në rajon.

Thirrja publike për projekte në kuadër të Programit për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është shpallur më 25 korrik dhe do të jetë e hapur deri më 27 Shtator 2019. Projektet duhet të përfshinë fushat e mëposhtme:

- Punësimin, qarkullimin e fuqisë punëtore, përfshirjen sociale dhe kulturore dhe

- Promovimin e turizmit dhe ruajtjen e pasurisë kulturore dhe natyrore.

Për thirrjen e parë publike për projekte për bashkëpunim ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në kuadër të Programit IPA të BE-së janë siguruar 1.260 000 euro, ndërsa bashkëfinancimi nacional në shumë prej 15% të shpenzimeve të pranuara do të sigurohet nga Ministria e vetëqeverisjes lokale, nga Buxheti i Shtetit.