Printo

Fatkeqësitë natyrore zakonisht nuk varen nga ne, por ne së bashku kemi përgjegjësi të ndërtojmë sistem të masave që do t'i bëjnë më resistente shtetet tona dhe bashkësitë vendore sa i përket pasojave, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov në konferencën e organizuar nga UNDP, me rastin e 60 vjetorit të tërmetit në Shkup.

 -Nëse nuk mund të ndikojmë në shkakun, sigurisht që mund të ndikojmë në minimizimin e pasojave. Por vetëm përmes një sistemi të ndërtuar masash që do të respektohen pa kushte nga të gjithë. Çdo lëshim mund të paguhet me jetë të njerëzve, ndërsa jeta e njeriut nuk ka çmim. Kujtimet le të ngelin mësim për ne sepse natyra mund të jetë e pamëshirshme. Prandaj, si individ duhet të jemi solidarë, mirënjohës dhe shumë më të përgjegjshëm, për ne dhe për brezat e ardhshëm që një ditë, si ne tani, do të tregojmë se çfarë bëmë për ta.

                Sipas ministrit Penov, është e kuptueshme që Shkupi të jetë nikoqir i një ngjarjeje të tillë dhe në këtë mënyrë edhe një herë të shprehim mirënjohjen tonë për ndihmë  dhe përkrahjen e madhe para 60 viteve më parë.

 -Më 26 korrik 1963, në orën 5:17 të mëngjesit, vetëm 20 sekonda ishin fatale për shkakun e 1070 jetëve të humbura në të njëjtën ditë, rreth 3000 të plagosur, 15800 shtëpi të rrënuara . Për vetëm 20 sekonda, 85% e objekteve në Shkup janë rrënuar apo dëmtuar. Këto nuk janë vetëm numra, janë fate njerëzore, familjet e të cilëve ende e kujtojnë me dhimbje atë ditë të tmerrshme, tha ai.

                Penov theksoi se pas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara, 85 shtete të botës morën pjesë në ndihmën direkte për rindërtimin e Shkupit.

 – Shkupi me të drejtë mban epitetin “qyteti i solidaritetit botëror”. Shkupi nuk harron. Prandaj kemi emërtime të rrugëve si, Helsinki, Kajro, Oslo, shkolla fillore Johan Heinrih Pestaloci.

Shkupi, pas tërmetit, me ndihmën e madhe ndërkombëtare, të organizuar nga Kombet e Bashkuara, filloi ringjalljen e tij, në qytet modern dhe urban.

                Penov theksoi se në rindërtimin e Shkupit morën pjesë shumë sizmologë, hidrologë, urbanistë dhe arkitektë nga e gjithë bota.

 - Nga këta profesionistë, OKB-ja formoi grupin përgjegjës për hartimin e planit të ri urbanistik të Shkupit. Është bërë shumë. Sot Shkupi vërtet është  qytet i bukur dhe modern, i cili ka nevojë për më shumë kujdes dhe përkushtim nga të gjithë, nga institucionet kompetente dhe nga qytetarët.