Me rastin e 10 vjetorit të miratimit të rregullativës për pushtetin lokal, njëherësh jubileut të themelimit të institutit kosovar për qeverisje lokale, ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu mori pjesë në Konferencën kushtuar qeverisjes lokale “10 vite pas decentralizimit dhe konstituimit të qeverisjes Lokale.

Në këtë Konferencë të pranishëm ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ambasadorët e Zvicrës dhe Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, ekselenca e tyre Jean-Hubert Lebet dhe Strand Sjaastad, ministra dhe përfaqësues të ministrive përkatëse, kryetar të komunave të Kosovës dhe rajonit dhe përfaqësues të organizatave civile dhe donatorëve.

Ministri Fazliu në paraqitjen e tij para të pranishmëve në Konferencë foli për procesin e decentralizimit në Republikën e Maqedonisë, zhvillimin rajonal, Programet e IPA fondeve të BE-së dhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.

Decentralizimi si proces në Republikën e Maqedonisë, theksoi ministri Suhejl Fazliu u bë aktual pas vitit 2001 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit kur u rrënua koncepti centralist dhe u vendos një nga shtyllat themelore të kësaj Marrëveshje – decentralizimi i pushtetit. U desh shumë punë dhe aktivitete, ndryshimi dhe përshtatja e normativës ligjore dhe nga pika zero oficialisht ky proces filloi në vitin 2005 prej kurë filloi edhe decentralizimit fiskal i komunave. Pra, si segmente themelore të këtij procesi ishin: Decentralizimi i pushtetit; Decentralizimi fiskal; Organizimi territorial; dhe Forcimi i kapacitetit të komunave.

- Decentralizimi nuk është thjesht një vendim, por një proces i gjatë dhe i ndërlikuar. Një nga sfidat që edhe mëtutje mbetet pjesë kyçe e kësaj reforme është forcimi i kapaciteteve të komunave dhe zhvillimi i barabartë regjional. Në këtë drejtim janë hartuar programe konkrete që janë duke u realizuar në kontinuitet ndërsa në masë të madhe na ka ndihmuar edhe Bashkimi Evropian përmes projekteve konkrete. Tani, ky proces është në fazë të avancuar ndërsa komunave u janë transferuar kompetenca në arsim, kulturë, urbanizëm dhe planifikim hapësinorë si dhe kompetenca të cilat rregullojnë planifikimin dhe zhvillimin e komunave. Rezultatet janë pozitive ndërsa ajo që na inkurajon është se krahas marrjes së kompetencave është rritur edhe përgjegjësia e kryetarëve të komunave dhe këshillave komunal, ndërsa në vendimmarrje dhe përcaktimin e prioriteteve zhvillimore të komunave përfshihen edhe sektori qytetarë dhe ai i biznesit, tha ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu.

Ministri Fazliu foli edhe për zhvillimin e barabartë regjional në Maqedoni, si dhe Programin ndërkufitarë me Kosovën i mbështetur nga fondet IPA të BE-së.

Në fund, ministri Suhejl Fazliu potencoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës për shkëmbimi i përvojave të ndërsjella dhe hapjen e horizonteve të reja për bashkëpunim të ndërsjellë.