Ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Louisa Vinton, sot hapën forumin në të cilin u prezantuan kriteret për financimin e projekteve në rajone planore dhe nëpër komuna, në kuadër të projektit "Përmirësimi i menaxhimit komunal", i financuar nga Bashkimi Evropian, me vlerë të përgjithshme prej  2.4 milion euro.

Ministri Suhejl Fazliu tha se Ministria  për vetëqeverisje lokale në këtë periudhë është e përkushtuar për forcimin e kapaciteteve të komunave për qeverisje të mirë, kryesisht duke promovuar parimet e transparencës, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes në të gjitha fushat vepruese.
 
- Në kuadër të projektit “Përmirësimi i menaxhimit komunal”, që Ministria e realizon me UNDP- në, financohen tetë projekte në tetë rajone planore, ndërsa në fazën e dytë do të financohen projekte edhe në 30 komuna, me mjete prej 1 milion euro.
 
Sot, me pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmëve, shqyrtojmë kushtet e përgjithshme për përgatitjen dhe përzgjedhjen e tetë projekteve të para. Qëllimi i Ministrisë për vetëqeverisje lokale është - njësi funksionale të vetëqeverisjes lokale dhe rajone planore  konkurruese. Përmes qeverisjes më të mirë në nivel lokal të sigurojmë qasje më të mirë të shërbimeve dhe  cilësi më të mirë jetësore për të gjithë qytetarët, tha ministri Fazliu.