Me fonde nga IPA Programi për bashkëpunim ndërkufitar midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në rajonin e Pellagonisë do të implementohet projekti i ri - Rritja e mundësive për zhvillimin e turizmit përmes përdorimit të burimeve ekzistuese.

Implementues i projektit është Qendra për zhvillim të rajonit të Pellagonisë në partneritet me Fakultetin e Turizmit në Ohër, Parkun Kombëtar Pelister, Parkun Kombëtar të Prespës dhe nga pala greke Fakulteti i Administrimit të Biznesit nga Selaniku.

Vlera e projektit është 740 mijë euro, të siguruara përmes Instrumentit IPA të Bashkimit Evropian dhe 15 për qind bashkëfinancim nga Buxheti i shtetit.

Zëvendësministri Dejan Pavleski shprehu kënaqësinë lidhur me gatishmërinë e rajonit planor për të siguruar fonde nga Bashkimi Evropian me çka do të mundësohet promovimi i potencialeve turistike, për të krijuar produkte për zhvillimin e turizmit dhe për të rritur mundësitë e punësimit në turizëm në këtë rajon.

- Shtatëqind e dyzet mijë euro janë në dispozicion të rajonit për realizimin e aktiviteteve të parashikuara, në kuadër të kësaj kornize, nga të cilat 412 mijë për partnerët nga Maqedonia Veriore. Bashkimi Evropian siguron gjashtëqind e njëzetmijë euro dhe bashkëfinancimi prej 15 për qind është nga buxheti i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Përdorimi i fondeve nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit IPA është mundësi për të realizuar projekte të mira që do të kenë ndikim në zhvillimin e komunave dhe të rajonit në përgjithësi, por është e rëndësishme dhe për ndërtimin e kapaciteteve të autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile në menaxhimin e fondeve sipas rregullave të Bashkimit, tha zëvendësministri Pavleski.

Programi për bashkëpunim ndërkufitar me Greqinë në periudhën e dytë të Programit IPA është me vlerë 45.5 milionë euro për periudhën deri në vitin 2020, nga të cilat 85 për qind janë nga Bashkimi Evropian dhe 15 për qind bashkë-financim nga buxheti i shtetit.

Dyzet projekte nga thirrja e parë, duke përfshirë edhe atë aktual, tashmë janë në fazën e realizimit. Për bashkëfinancimin e tyre nga buxheti i shtetit u ndanë 2.4 milion euro. Në zbatimin e projekteve të Programit ndërkufitar midis Maqedonisë Veriore dhe Greqisë janë të përfshirë më shumë se 80 partnerë, përfituesit janë qytetarët nga 4 rajonet planore në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe 5 rajone në Republikën e Greqisë.