17.01.2018 1

Ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu  mori pjesë në punëtorinë rajonale “Bashkëpunimi territorial, perspektivë e re për mbështetje të integrimit” që u mbajt në Tirane në organizim të Ministrisë për Evropë dhe punë të jashtme të Republikës së Shqipërisë. Në këtë eveniment me fjalime u paraqitën ministri për Evropë dhe punë të jashtme të Republikës së Shqipërisë z. Ditmir Bushati, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri znj. Vllahutin, të cilët e cekën rëndësinë e bashkëpunimit territorial dhe mundësitë tjera për bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor që sigurohet përmes mbështetjes së  Bashkimi Evropian (instrumenti paraaderues IPA).

 Ministri Fazliu në fjalimin e tij veç tjerash theksoi se pas nesh lëmë një proces të rëndësishëm, gjate së cilit i kemi identifikuar përparësitë dhe dobësitë tona në përgatitjen e programeve të përbashkëta operative, organizimin e thirrjeve, vlerësimin e projekt propozimeve, mbikëqyrjen e projekteve në fazë të realizimit duke  përmbyllur  një kapitull për të hapur një tjetër me po aq nevojë dhe përkushtim.

Ai potencoi se bashkëpunimi territorial paraqet një iniciative pozitive e cila sjell vlera të çmuara. Ne synojmë  marrëdhënie të mira fqinjësore, zhvillimin e bashkëpunimit dhe tolerancën tek popullatat e zonave kufitare, duke kontribuar për ide të reja dhe shkëmbim të përvojave. Këto synime posaçërisht janë të rëndësishme për rajonin tonë të Ballkani, theksoi Fazliu.

Në fund, ministri Fazliu shfaqi shpresën që përmes shkëmbimit të informacioneve dhe praktikave mes strukturave operative të ndihmojmë në shkurtimin e rrugëtimit  tonë, po edhe të kolegeve, në gjetjen e një praktike më efikase për realizimin e programeve të përbashkëta.