Ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu, sot vizitoi komunën e Tearcës ku bashkë me drejtorin e Korpusit të paqes në Maqedoni,  z. Mark Hanafin, vizituan  vullnetarët e këtij korpusi të vendosur në komunë dhe aktivitetet e tyre të realizuara në kuadër të qëndrimit  njëvjeçar.

Tash më një vit, siç bëri të ditur drejtori Hanafin, dy vullnetarët e tyre qëndrojnë në komunën e Tetarcës, të vendosur në familje shqiptare dhe maqedonase, të cilët janë të angazhuar në aktivitete të komunës, më saktë për zhvillim ekonomik lokal si dhe në arsim, gjegjësisht në shkolla, për mësimin e gjuhës angleze nga ana e nxënësve. Gjatë këtij viti, vullnetarët janë pritur dhe integruar mjaft mirë me popullatën lokale si dhe përvetësimin e shpejtë të gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase.

Ministri Fazliu vlerësoi lartë punën e vullnetarëve dhe theksoi se është për çdo respekt puna dhe përshtatshmëria e tyre si dhe marrëdhëniet e ngushta që kanë krijuar me popullatën lokale. Njohja e njëri-tjetrit dhe e kulturave të ndryshme, traditës dhe mënyrës së jetesës është shumë e rëndësishme për mirëkuptimin dhe respektin reciprok. Aktiviteti i vullnetarëve të Korpusit të paqes është një shembull i vërtetë  se si dy kultura të ndryshme mund të afrohen dhe të bashkëpunojnë, e gjithashtu për një vit  të mësojnë gjuhët e popullatës lokale.

-Ne jemi të përkushtuar për ndërtimit të marrëdhënieve të mira mes njerëzve, pa kufizime dhe paragjykime dhe të gjithë duhet tu përkushtohemi komunave tona dhe të bëjmë atë që është më e dobishme për komunitetin lokal, siç është shembulli vullnetarëve  të korpusit të paqes dhe të njëjtat ti zbatojmë në praktikë theksoi ministri Fazliu.

Ministri Fazliu  njëherit e inkurajoi kryetarin e komunës së Tearcës, z. Isen Asani për bashkëpunim më të ngushtë me Ministrinë për vetëqeverisje lokale si dhe për  mundësinë për projekte ndërkufitare dhe shfrytëzimin e fondeve nga Programi IPA të financuara nga Bashkimi Evropian.